Komentim – Hebrenjve 6

Hebrenjve 6

Skica e kapitullit

  • Hebrenjtë nxiten që të përparojnë në doktrinën e Krishtit dhe përshkruhen pasojat e apostazisë apo kthimit pas (v.1-8)
  • Apostulli shpreh kënaqësi me shumicën prej tyre (v.9-10)
  • Apostulli i inkurajon të këmbëngulin në besim dhe shenjtëri (v.11-20)

Hebrenjve 6:1–8

Çdo pjesë e së vërtetës dhe vullnetit të Perëndisë duhet të shpaloset para atyre që rrëfejnë ungjillin për t’u ngulitur në zemrat dhe ndërgjegjet e tyre. Nuk duhet që gjithmonë të flasim për gjërat e jashtme; këto gjëra kanë vendin dhe dobinë e tyre, por shpesh marrin shumë kohë dhe vëmendje gjëra të cilat mund të shfrytëzohen më mirë. Mëkatari i përulur që e pranon se është fajtor dhe këlthet për mëshirë nuk ka pse të shkurajohet prej kësaj pjese pavarësisht se për çfarë mund ta akuzojë ndërgjegja e tij. Gjithashtu kjo pjesë nuk vërteton që dikush që është bërë krijesë e re në Krishtin mund ta braktisë atë përfundimisht në apostazi. Apostulli nuk është duke folur thjesht për braktisjen e besimit prej atyre që thjesht rrëfejnë se janë besimtarë, që nuk janë bindur apo ndikuar kurrë prej ungjillit. Njerëz të tillë nuk kanë çfarë të braktisin përveçse një emri pa vlerë dhe një rrëfimi hipokrit. Ai nuk është duke folur as për dobësimin apo rrëshqitjen pas. Ai nuk e ka fjalën për mëkate të tilla pas edhe të Krishterët rrëzohen para forcës së tundimeve apo pushtetit të ndonjë epshi mishor dhe të botës. Por braktisja e përmendur këtu është një mohim i hapur dhe i betuar i Krishtit, nga armiqësia e zemrës kundër tij, kundër çështjes së tij dhe popullit të tij, nga njerëz që në mendjen dhe veprimet e tyre miratojnë vrasësit e tij, dhe e gjitha kjo ndodh pasi ata kanë marrë njohurinë e së vërtetës, dhe kanë shijuar disa prej ngushëllimeve të saj. Për tipa të tillë thuhet që është e pamundur t’i ripërtërish në pendim. Jo sepse gjaku i Krishtit nuk është i mjaftueshëm për të fituar falje për këtë mëkat, por ky mëkat në vetë natyrën e tij është në kundërshtim me pendimin dhe çdo gjë tjetër që të çon tek ai. Nëse ka njerëz që përmes pikëmapjeve të tyre të gabuara për këtë pjesë dhe për shkak të rastit të tyre personal kanë frikë që për ta nuk ka mëshirë do të shohin qartë natyrën e këtij mëkati, domethënë që është një mohim total dhe i vullnetshëm i Krishtit dhe çështjes së tij, duke u bashkuar me armiqtë e tij, kjo gjë do t’i çlironte prej frikërave të tyre të gabuara.

Ne vetë duhet të kemi kujdes, të paralajmërojmë të tjerët për çdo prirje drejt humnerës së tmerrshme të apostazisë; megjithatë kur e bëjmë këtë gjë duhet të qëndrojmë pranë fjalës së Perëndisë, të kemi kujdes që të mos lëndojmë apo tmerrojmë të dobëtit apo të shkurajojmë ata që kanë rrënë dhe ata që janë penduar. Besimtarët jo vetëm që e shijojnë fjalën e Perëndisë por edhe e pijnë atë. Ky kopësht me tokë të frytshme merr bekimin. Por ai që është thjesht një i Krishterë nominal që nën ndikimin e mjeteve të hirit vazhdon të jetë i pafrytshëm apo që nuk prodhon gjë tjetër përveçse mashtrim dhe egoizëm i afrohet shumë asaj gjëndjes së tmerrshme të përshkruar; për këtë është rezervuar mjerimi i përjetshëm. Le të kemi kujdes të përulur për veten dhe të lutemi.

Hebrenjve 6:9-10

Ka gjëra të cilat nuk ndahen kurrë nga shpëtimi; gjëra të cilat tregojnë se personi është në një gjëndje shpëtimi dhe e cila do të rezultojnë në shpëtim të përjetshëm. Gjërat që e shoqërojnë shpëtimin janë gjëra më të mira nga ato që ka përjetuar dikush që ka braktisur bashkësinë apo besimin. Veprat e dashurisë, të bëra për lavdinë e Krishtit, apo që u janë bërë shenjtorëve të tij për hir të Krishtit, herë pas here, ashtu si Perëndia siguron mundësinë, janë shenja të qarta për shpëtimin e dikujt. Këto janë prova më të sigurta për hirin shpëtues që është dhënë sesa ndriçimet dhe shijimet për të cilat flitet në vargjet pararendës. Asnjë gjë nuk duhet të konsiderohet si dashuri përveç dashurisë vepruese, asnjë vepër nuk është vepër e drejtë që nuk rrjedh prej dashurisë së Krishtit.

Hebrenjve 6:11–20

Shpresa për të cilën flitet këtu është një pamje e sigurt e gjërave të premtuara me dashuri, dëshirë dhe vlerësim për to. Shpresa ashtu si besimi ka shkallë të ndryshme. Premtimi i bekimit që Perëndia u ka bërë besimtarëve vjen prej qëllimit të përjetshëm të Perëndisë, që është caktuar mes Atit, Birit dhe Frymës. Në ato premtime të Perëndisë mund të mbështetemi të sigurt sepse kemi dy gjëra të cilat nuk mund të ndryshojnë, këshilla dhe betimi i Perëndisë në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë; kjo do të ishte kundër natyrës së Tij dhe kundër vullnetit të Tij. Për shkak se Ai s’mund të gënjejë; shkatërrimi i jobesimtarëve dhe shpëtimi i besimtarëve janë njëlloj të sigurta. Vini re ata të cilëve Perëndia u ka dhënë sigurinë e plotë të lumturisë kanë të drejtën e premtimeve përmes trashëgimisë. Ngushëllimet e Perëndisë janë mjaft të forta sa t’i mbështesin njerëzit e tij edhe në sprovat më të vështira. Këtu është streha për të gjithë mëkatarët që turren tek mëshira e Perëndisë, përmes shpengimit të Krishtit me anë të besëlidhjes së hirit dhe duke lënë mënjanë çdo siguri tjetër. Në këtë botë ne jemi si anijet në det që hidhemi andej-këndej dhe në rrezik që të mbytemi. Kemi nevojë për një spirancë që të na mbajë të palëkundur dhe të sigurt.

Shpersa e ungjillit është spiranca jonë mes stuhive të kësaj bote. Ajo është e sigurt dhe e palëkundshme ndryshe nuk mund të na mbante dot të sigurt. Hiri falas i Perëndisë, meritat dhe ndërmjetësimi i Krishtit, si dhe ndikimet e fuqishme të Frymës janë bazat e kësaj shprese, për këtë arsye është një shpresë e palëkundur. Krishti është objekti dhe themeli i shpresës së besimtarit. Prandaj la ta vendosim dashurinë tonë në gjërat që janë sipër dhe të presim me durim të shfaqurit e tij kur edhe ne me siguri do të shfaqemi me të në lavdi.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*