11 Dhjetor – Octavius Winslow

11 Dhjetor

“Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.” Luka 24:27

Harmonia e përsosur mes Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re konfirmon besimin tonë në vërtetësinë Hyjnore të Shkrimeve të së vërtetës. Mbi çfarë baze tjetër mund ta shpjegojmë këtë përputhje të qartë mes Fjalës me veten e saj, përmbushjen e drejtpërdrejtë dhe të saktë të parashikimeve të saj, veçse mbi natyrën e saj Hyjnore? “Fjala jote është e vërteta” është konkluzioni i lavdishëm dhe triumfues që del me të drejtë nga një fakt kaq goditës dhe i dukshëm sa ky. Në çfarë tipari të veçantë bëhet e qartë kjo harmoni e bukur? Në lartësimin e Qengjit të Perëndisë. Shkrimet e të vërtetës në Dhiatës së Vjetër dhe të Re bëjnë për Krishtin atë që Pilati dhe Herodi bënë kundër Tij – ato bëhen bashkë. Ato bashkohen në një aleancë të shenjtë, në një unitet sublim qëllimi për të shfaqur lavdinë e Perëndisë së mishëruar.

Libër Hyjnor! Volum i çmuar! Shihni një shembull se çfarë duhet të jetë Kisha e Perëndisë së gjallë – një trup transparent, i ndriçuar me lavdinë e Emanuelit, që i përhap rrezet e dritë dhe bukurisë së saj mbi faqen e një bote të humbur dhe të zhytur në errësirë. Sa shumë që varet një përfaqësim i përsosur i lavdisë së Shpengimtarit nga kisha mbi bashkimin e saj të dukshëm! Një pasqyrë e thyer në njëmijë copa nuk mund ta reflektojë lavdinë e diellit me të njëjtin shkëlqim, fuqi dhe efekt sa një pasqyrë përsosmërisht e plotë. As një kishë e Perëndisë e cila është e copëzuar, e ndarë, e thyer nuk mund t’i paraqesë botës të njëjtën dëshmi plot harmoni, bindje dhe efektshmëri për lavdinë e Jezusit, si një kishë e bashkuar dhe pa ndasi, ajo shfaqet “si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur.”

Prandaj, për hir të gjithçkaje që është e çmuar në emër të Jezusit, për hir të gjithçkaje që është shenjtëruese në lavdinë e Tij dhe tërheqëse në kryqin e Tij, për hir të gjithçkaje që është e ëmbël dhe bindëse në dashurinë e krishterë, për hir të gjithçkaje solemne në faktin që vdekja dhe përjetësia po afrohen, dhe për hir të gjithçkaje që është e shkëlqyer në shpresën e jetës së përjetshme, e cila buron prej një shpengimi të vetëm, përpiqu të nxitësh unitetin e dukshëm të kishës së Krishtit. Vendos para kryqit dhe me hirin e Perëndisë që nuk do të jesh pengesë për arritjen e një qëllimi të tillë kaq të bekuar dhe kaq të shenjtë. Mbaje besimin me një dorë të fortë por mbaje në drejtësi. Thuaje të vërtetën plot guxim, por thuaje në dashuri. Jepu të tjerëve atë që pretendon për veten tënde – të drejtën e të pasurit një gjykim personal dhe ushtrimin e lirë të një ndërgjegjeje të ndriçuar.

Atje ku ta shohësh shëmbëlltyrën e Jezusit të reflektuar, dashurinë ndikuese të Jezusit, dhe lavdinë e Jezusit e cila kërkohet thjesht dhe e vetme, atje zgjat dorën, ofro zemrën tënde, shpall bekimin dhe lutjen tënde. Kjo është të jesh si Krishti; dhe të jesh si Krishti është hir këtu mbi tokë dhe lavdi në qiell!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*