11 Gusht – Octavius Winslow

“Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.” Romakëve 8:14

Pasi i ka thirrur njerëzit e vet nga bota ofiqi i Jahves Frymë në besëlidhjen e shpengimit është që të vendosë Veten e Tij para tyre dhe të marrë përsipër udhëzimin e tyre të ardhshëm. Ai e di shtegun për në qiell. Ai i njeh të gjitha detajet dhe rreziqet e tij. Ai e di ku është guri poshtë sipërfaqes së ujit, e di ku është rëra thithëse, e di ku është gropa e padukshme dhe gracka e fshehur. Ai e di gjithashtu edhe shtegun e caktuar individual për çdo udhëtar drejt qytetit qiellor. Gjithë sa Perëndia ka caktuar në besëlidhjen e përjetshme – të gjitha kthesat, hollësitë dhe shtegun e sheshtë – Ai i di të gjitha. E gjithë e ardhmja e historisë tonë është pafundësisht më e gjallë dhe transparente për mendjen e Tij nga sa është për syrin tonë e shkuara, të cilën tashmë e kemi shkelur. Prandaj, është krejtësisht e pamundur, që Ai të na drejtojë gabim.

Ajo e cila është po aq thelbësore për Të si udhëzues është që Ai e di punën e Tij në shpirt. Gjithçka është dritë dhe hije, uljet dhe ngritjet e tij, sulmet dhe fitoret, janë të gjalla për syrin e Tij. Duke banuar në atë zemër – në tempullin e Tij të shenjtë – në banesën e Tij të zgjedhur – Ai lexon vetë shkrimin e Tij aty; e kap kuptimin e çdo rënkimi, interpreton gjuhën e çdo psherëtime, dhe dallon përleshjen e çdo dëshire të shenjtë; Ai e di se ku të sigurojë një frenim me urtësi, apo ku të japë një qortim me butësi, të pëshpëritë qetë një premtim, apo me dhembshuri të zbutë një pikëllim, ta ndihmojë në mënyrë të efektshme vendosmërinë në embrion, ta forcojë një qëllim që lëkundet, apo të konfirmojë një shpresë që lëkundet.

Por në terma më të saktë çfarë do të thotë të udhëhiqesh nga Fryma? Ekzistenca e një jete frymërore tek ata që Ai udhëheq është një pikë thelbësore tashmë e pranuar. Ai nuk merr për sipër të udhëheqë një kufomë frymërore, një shpirt të vdekur në mëkate. Shumë trazohen prej Frymës, të cilët nuk udhëhiqen prej Frymës. A nuk ishte Sauli, mbreti i parë i Izraelit një shembull solemn i kësaj? Dhe kur thuhet “Fryma e Perëndisë u largua prej tij,” e shohim se si në një mënyrë të zakonshme Fryma mund të përleshet me ndërgjegjen e natyrshme të njeriut, dhe të punojë fuqishëm mbi ndjenjat e tij përmes fjalës, madje ta përdorë si agjent në arritjen e vullnetit të Tij, e megjithatë të mos e udhëheqë kurrë qoftë edhe një hap në mënyrë të efektshme dhe shpëtuese tek Krishti dhe në qiell.

Ashtu si në vizionin e kockave të Ezekielit ka “një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra-tjetrës… por fryma nuk ishte në to.” Por në ata që Fryma udhëheq ka jetë frymërore. Kështu në një farë kuptimi ata bëhen të vullnetshëm në lëvizje. Ata nuk janë të detyruar; nuk është se e ndjekin nga shtrëngimi; ata udhëhiqen me bindje, butësi dhe gatishmëri. Prandaj, udhëheqja e Frymës është veprimi i Tij mbi jetën e Tij në shpirt.

Kjo gjithashtu merr për të mirëqenë paaftësinë për të udhëhequr veten tek ata që udhëhiqen prej Frymës: “Unë do t’i udhëheq të verbrit nëpër një udhë që nuk e njohin.” Të tillë jemi ne. Jemi të paaftë për të dalluar qoftë edhe një hap të vetëm para nesh, dhe të paaftë për ta hedhur atë hap edhe kur e shohim, prandaj kemi nevojë për udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Çfarë mund të shohim nga e vërteta – nga provania – çfarë mund të shohim nga vullneti dhe mendja e Perëndisë prej vetes tonë? Absolutisht asgjë. Oh çfarë shfaqje paditurie, çfarë tregime dobësie që i kanë karakterizuar disa prej shenjtorëve më të mençur të Perëndisë kur u lanë për ta mësuar dhe udhëhequr vete veten e tyre! Prandaj kemi një nevojë të fortë dhe absolute për një urtësi, forcë dhe hir që ia kalojnë pafundësisht urtësisë, forcës dhe hirit tonë, të cilat të na udhëheqin në udhëtimin tonë për në shtëpinë qiellore.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*