12 Maj – Octavius Winslow
“Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit.” Efesianëve 1:13
Edhe pse është shumë e vëtetë që në momentin që mëkatari beson në Jezusin bëhet në fakt “trashëgimtar i Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtar me Krishtin,” dhe hyn në familje si fëmijë i birësuar, megjithatë ndjesia e qartë dhe e palëkundur e kësaj mëshire të madhe mund të mos vuloset në zemrën e tij derisa të kenë kaluar vite. Ai mund të ketë ecur gjatë pa ndjesinë e ëmbël të dashurisë birësuese të Perëndisë në zemrën e tij, gjendja e frymës së tij dhe gjuha e shpirtit të tij në lutje, ka qenë më tepër ajo e “birit të skllaves” sesa e “birit të të lirës;” ai nuk e ka njohur shumë “frymën e lirë,” – frymën e fëmijës së birësuar – dhe rrallë herë ka shkuar tek Perëndia si një atë besnik, i butë, i dashur dhe i mirë. Por tani Vulosësi Hyjnor – Fryma i përjetshëm i Perëndisë – hyn sërish dhe ngulit thellë në shpirtin e tij ndjesinë e patregueshme të ëmbël dhe të përhershme të birësimit të tij. Oh, çfarë ndikimi që lihet në zemrën e tij kur të gjitha frikërat e tij të ligjshme hiqen tej – kur të gjitha rënkimet e tij skllavëruese qetësohen, kur gjithë fryma e tij e skllavërisë ka shkuar dhe kur nën tërheqjet e dashurisë birërore ai i afrohet fronit të hirit, dhe thërret, “Ati im!” Dhe Ati i tij i përgjigjet, “Fëmija ime! Ti do të më thërrasësh Ati im; dhe nuk do të largohesh prej meje!”
Vulosja e Frymës nuk nënkupton gjithmonë një qëndrim ngazëllues. Nuk shoqërohet domosdoshmërisht nga një gëzim i madh frymëror. Edhe pse nuk mund ta harrojmë që është privilegji i madh i besimtarit të jetë “gjithmonë i gëzuar,” “duke ngazëlluar përherë,” dhe që një gjendje gëzimi frymëror është një gjendje e lumtur dhe e shenjtë, megjithatë, nuk mund të supozojmë që “të vulosurit” janë gjithmonë zotërues të këtij “fryti të Frymës.” Ka të ngjarë që është më tepër një gjendje prehjeje në Perëndinë – një gjendje qetësie dhe paqeje të shenjtë, e cila rrallë herë ndodh që të ngrihet në gjendjen e gëzimit. Ekziston një shpresë e qartë, një prehje e sigurt dhe e palëkundur në veprën e përfunduar, një mbështetje e përulur në qëndrueshmërinë e besilidhjes dhe në pandryshueshmërinë e dashurisë së Perëndisë, e cila nuk lëkundet kurrë edhe kur nuk ka një shijim të ndjeshëm të saj, dhe ngushëllimi duket sikur është tretur.
Është një gjendje që korrespondon me atë që Davidi e shprehu kështu – “A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?” Ndoshta më e ngjashme me gjendjen e shpirtit të Jobit kur deklaroi, “Edhe po të më vrasë, sërish do të kemi besim tek Ai.” Ngushëllimet e ndjeshme mund të tërhiqen, gëzimi ndoshta mund të mungojë – mund të ndodhë që pa asnjë notë gëzimi, apo pa asnjë rreze drite, besimtari sërish mund të thotë, “E di kujt i kam besuar.” Ne mund të pyesim, si ka mundësi të ketë një mbështetje të tillë të fortë dhe të paepur? Si ka mundësi të ketë një trimërim të tillë të shpirtit në mungesë të ngushëllimit të ndjeshëm? Dhe ne përgjigjemi, për shkak se shpirti ka arritur vulosjen e Frymës. Ky është sekret i madh.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!