23 Mars Octavius Winslow

23 Mars

“Një Zot.” Efesianëve 4:5.

Kisha është një në Birin – “Ka vetëm një Zot.” Zoti Jezus është Kreu i vetëm, sikurse është edhe Themeli i vetëm i Kishës. Të gjithë besimtarët janë zgjedhur në Krishtin, janë bekuar në Krishtin, janë shpëtuar në Krishtin, janë ruajtur në Krishtin, dhe në Krishtin do të përlëvdohen. Vepra e Krishtit është vendi i vetëm ku mbështeten shpirtrat e tyre. Ata mbështeten për falje në të njëjtin gjak, për pranim mbi të njëjtën drejtësi, dhe për shenjtërim mbi të njëjtin hir. Një në Krishtin, të gjitha ndryshimet dhe dallimet e tjera shkrihen dhe harohen: “Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.” E vërtetë e bekuar! “Drejtësia e Perëndisë për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë,” u jep të njëjtën plotësi të gjithë besimtarëve në Krishtin. Mbi gjoksoren e Krye Priftit të madh, tani brenda velit, është shkruar njëlloj çdo emër – asnjë emërtim sektarian nuk ia zbeh dot shkëlqimin “Urimit dhe Thumimit,” nën dritën vezulluese të të cilit janë gdhendur emrat e të gjithë shenjtorëve. Çfarë e vërtete bashkuese që është kjo! Jezusi është Kreu i vetëm i jetës, dritës dhe dashurisë, për të gjithë shenjtorët e TIj. Ai mbarti shkeljet e të gjithëve – Ai mbarti mallkimin e të gjithëve – Ai duroi ferrin e të gjithëve – Ai fal mëkatin e të gjithëve – Ai siguron nevojën e të gjithëve – Ai zbut pikëllimet e të gjithëve, dhe ai jeton e ndërmjetëson për të gjithë. Tek Ai shkojnë të gjithë, e vërtetë me shkallë të ndryshme njohurie dhe besimi, nga pikënisje të ndryshme; megjithatë, të gjithë vijnë tek Jezusi, Shpëtimtari i vetëm, Vëllai dhe Zoti i tyre i vetëm. Oh çfarë parimi forcues që është ky! Trupi i Krishtit – i blerë me të njëjtin gjak, i dashur me të njëjtën dashuri, i përfaqësuar në qiell nga i njëjti Avokat, që shpejt, shumë shpejt, do të “përlëvdohet së bashku” me Të. Çfarë dashurie, duhet të kem ndaj atij të cilin Jezusi e ka dashur në këtë mënyrë! Si mund të ndihem i ftohtë, të mos shoh me dashamirësi, apo të flas pa dashuri për dikë që Jezusi e ka shpenguar me të njëjtin gjak të çmuar dhe të cilin Ai e mban çdo moment në zemrën e Tij të dashur?


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*