5 Janar – Octavius Winslow
5 Janar
“Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete.” 1 Gjoni 5:10
Fryma e Perëndisë e thyen, e përul dhe e shëron zemrën; e merr të vërtetën e vet dhe e shkruan atë në shpirt; dëshmon, vulos, shenjtëron; i hap sytë e shpirtit ndaj shenjtërisë së ligjit të Perëndisë – për fajin e tij moral, për varfërinë, pafuqinë dhe nevojën e thellë për gjakun dhe drejtësinë e Krishtit, dhe në këtë mënyrë e udhëheq të prehet tek Ai si një Shpëtimtar i gjithë-mjaftueshëm; kështu prodhon “drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” – kjo është e vërteta e përjetuar – kjo është feja e zemrës; dhe çdo fe tjetër, edhe pse në teori mund të jetë e bukur, edhe pse mund të jetë e vërtetë në doktrinë nuk vlen asgjë! Pa këtë përjetim nuk ekziston besim i vërtetë në Fjalën e Perëndisë. Zbulesa e Perëndisë nuk kërkon për një besim që thjesht do t’i miratojë kredencialet e saj hyjnore; nuk kërkon thjesht që skepticizmi t’i lërë mënjanë dyshimet e veta, dhe ta pranojë si një të vërtetë hyjnore; ajo kërkon, po me këmbëngulje kërkon një besim që i pranon plotësisht, pa dyshim dhe praktikisht faktet e jashtëzakonshme dhe shumë të mëdha që kjo e vërtetë shpall – një besim që i kupton ato me fuqi reale në shpirt dhe e identifikon të vërtetën me këto fakte – një besim që beson se ekziston një ferr, dhe përpiqet që t’i shpëtojë – një besim i cili beson se ekziston një qiell dhe përpiqet të hyjë në të – një besim që e pranon doktrinën e rrënimit të njeriut prej natyrës së tij dhe që e përqafon doktrinën e ripërtëritjes së njeriut përmes hirit – me pak fjalë, një besim që e hedh poshtë çdo mbështetje tek njeriu dhe pranon si të vetmen strehë “drejtësinë e Krishtit për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë.” Ky është besimi i vërtetë i ungjillit! Lexues, a e ke këtë besim?
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!