6 Gusht – Octavius Winslow
“Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.” Romakëve 8:6
Mendja frymërore është jetë. Pa frikë e sfidojmë çdo besimtar – cili ka qenë efekti i një gjendjeje të ulët hiri në shpirtin tuaj? Cili ka qenë efekti kënaqësive mishore të mëkatit të preferuar – të miqësisë së panevojshme me botën – të përshtatjes me filozofinë dhe kënaqësitë e saj – të një fryme të parregullt – të një prirjeje të paqëndrueshme, po, për çfarëdo lloj prirjeje mishore; a nuk ka qenë efekti i tyre “vdekje”? Momentin që lejohet një tërheqje frymërore në mënyrë të fshehtë dhe të pakontrolluar – kur bota, mëkati dhe vetja kanë marrë përparësi, cila ka qenë pasoja? “Vdekje!”
Zakoni i lutjes nuk është se është neglizhuar totalisht, por nuk ka pasur bashkësi me Perëndinë – dhe kështu vdekja ka vënë poshtë lutjen. Bibla nuk është lënë krejtësisht pa u lexuar, por mbi faqet e shenjta nuk ka pasur asnjë rreze drite – kështu vdekja ka rënë edhe mbi Biblën. Mjetet e hirit nuk janë braktisur krejtësisht, por nga ato kanale nuk është nxjerrë aspak hir – kështu vdekja ka prekur edhe mjetet e hirit. Vdekja frymërore e ka mbuluar shpirtin, ky është efekti dhe fryti i lejimit dhe rritjes së frymës mishërore.
Por “jeta” është efekti i bekuar i mendjes qiellore. Është jetë që buron nga jeta, apo më mirë, jeta e brendshme në veprimet e saj të jashtme. Çfarë pushteti frymëror, pothuaj i gjithëfuqishëm që zotëron ai mendja, zemra dhe aftësitë e të cilit janë të zhytura në Frymën e Krishtit, të lidhura ngushtë me atë që është hyjnore dhe qiellore! Ashtu si mëkati është dobësi, kështu dhe shenjtëria është frocë. Ashtu si fryma mishore gjymton, kështu dhe mendja frymërore gjallëron. Njëra shkakton vdekje, tjetra rigjallëron. Të qëndruarit pranë Jetës Thelbësore e rrit jetën e përshpirtshmërisë. Një përbashkësi më e madhe me Jezusin prodhon “jetë me bollëk.”
Është e pamundur të jetojmë një jetë besimi në Birin e Perëndisë, duke çuar vazhdimisht çdo mëkat te gjaku i Tij, çdo shqetësim te zemra e Tij, çdo pikëllim te dhembshuria e Tij, çdo prishje te hirit i TIj, çdo barrë te krahu i Tij, pa qenë të vetëdijshëm për jetën e re, për fuqinë shtesë dhe për një jetë edhe më qiellore. Pyesni cilindo njeri lutjeje se cili është efekti i një përbashkësie të ngushtë me Perëndinë në shpirtin e tij? Pyesni çdo mendje që reflekton se cili është efekti i meditimit të shenjtë mbi shpirtin e tij? Pyesni ndërgjegjen poshtë kryqit se cili është rezultati i spërkatjes së vazhdueshme me gjakun e shlyerjes? Dhe, me një zë e me një frymë çdo besimtar do të përgjigjet “Jeta!” Ka një ndikim fuqizues në përshpirtshmëri, një rigjallërim të jetës në mendjen qiellore, të cilën mund ta kuptojë vetëm ai që njihet nga afër me gjërat qiellore dhe kalon shumë kohë me Perëndinë.
Ka jetë në lutje, jetë në fjalë, jetë në sakramente, jetë në përjetimin e fesë së gjallë, e cila i përhap rahjet e saj të thella në çdo skutë të shpirtit. Nuk ka jetë vetëm në këto. Por kur shpërthen stuhia e vështirësisë – kur vijnë mundimet e vështira – kur kur “dëgjohet ushtima e ujërave” – kur valët dhe dallgët shkumojnë mbi shpirt – kur hija e vdekjes bie mbi të gjitha të mirat e krijesës; atëherë, madje edhe në atë rast mendja frymërore që është e etur për jetë shpall, “Edhe po të eci në mes të rreziqeve, Ti do të më japësh jetë.” “Ky është ngushëllimi im në pikëllim; që fjala jote më ka dhënë jetë.” Çfarë është e gjithë kjo veçse garancia dhe para shijimi i përmbushjes së lavdishme dhe kurora e të gjithave – jeta që do të vijë, vetë jeta e përjetshme?
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!