6 Janar – Octavius Winslow

6 Janar

“Në botë do të keni mundime.” Gjoni 16:33

Nëse do të mund ta hiqnim mënjanë për një moment perden e hollë që na ndan nga shenjtorët e përlëvduar dhe të hetojmë shtegun përgjatë të cilit u udhëhoqën nga një Perëndi besëlidhjeje në kënaqësitë e tyre të tanishme, sa pak përjashtime do të gjenim, nëse ka vërtet të tilla nga deklarata e Jahveut – “Unë të kam zgjedhur në furrën e pikëllimit.” Të gjithë do të na tregojnë për një kryq të caktuar; një sprovë personale, familjare apo të afërt e cila i shoqëroi çdo hap të udhëtimit; gjë e cila e bëri luginën ku ecën vërtet “një luginë lotësh,” dhe të cilën e hodhën tej vetëm kur shpirti e zhveshi petkun e mishit dhe u rrëmbye atje ku nuk ka më brenga dhe psherëtima. Njerëzit e Perëndisë janë njerëz të pikëlluar. Hapi i parë që ata hedhin në jetën hyjnore është i lidhur me lotët e pikëllimit të perëndishëm; dhe ndërsa vazhdojnë udhëtimin pikëllimi dhe lotët janë ato që i karakterizojnë hapat e tyre. Ata pikëllohen në lidhje me trupin e mëkatit të cilin janë të detyruar ta mbartin me vete; pikëllohen për prirjen e tyre të përhershme për t’u larguar, për t’u tërhequr pas, për të jetuar më poshtë se thirrja e tyre e lartë dhe e shenjtë. Ata vajtojnë për shkak se vajtojnë shumë pak; ata qajnë sepse qajnë shumë pak; që pavarësisht se kanë kaq shumë mëkat që banon brenda tyre, kaq shumë largime të mëdha, ata vajtojnë rrallë duke marrë pozitën e njeriut të përulur përdhe përpara Perëndisë. Në lidhje me këtë, ekziston pikëllimi i cili rezulton prej disiplinës së nevojshme të cilën dora korrigjuese e Atit i cili i do ushtron pothuaj përditë mbi ta. Nën çfarë drite duhet të shihen të gjitha mundimet përveçse si shumë korrigjime dhe disiplinë të cilat ushtrohen nga Perëndia i tyre i besëlidhjes në mënyrë që t’i bëjë “pjesëmarrës të shenjtërisë së Tij.” Nëse këto gjëra shikohen nën ndonjë dritë tjetër e çnderojmë Perëndinë, e trishtojmë Frymën dhe kështu besimtari privohet prej bekimit të madh frymëror për të cilin ishte dërguar këto sprova.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*