9 Shtator – Octavius Winslow

9 Shtator

“Duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.” Veprat 20:21

Ekziston një rregull, si dhe një harmoni, në veprimet e Frymës, gjë e cila është shumë e rëndësishme të dallohet. Një padije apo një mbi theksim i kësaj ka çuar në shtrembërime të mëdha dhe fatale të ungjillit. E gjithë vetë-drejtësia e Fariseut dhe e gjithë vetë-devotshmëria e dishepullit të mashtruar të besëtytnisë Papnore, e kanë zanafillën këtu. Tani, rendi i Frymës është ky – së pari rigjenerimi i zemrës – pastaj shenjtërimi i saj. Nëse këtë e kthejmë mbraps, e shtrembërojmë çdo pjesë të punës së Tij dhe, për aq sa ka të bëjë me përfitimin tonë individual, e bëjmë atë krejt të padobishme. Shenjtërimi nuk është detyra e parë dhe e menjëhershme e një personi të pa ripërtërirë. Në të vërtetë, do ishte krejtësisht e pamundur po të ishte kështu.

Shenjtërimi e ka fillimin dhe rritjen e tij të përditshme në një parim të jetës të ngulitur në shpirt nga Fryma i Përjetshëm; të kërkosh shenjtëri te një individ ende i vdekur në mëkate do të thotë të kërkosh fruta ku nuk është mbjellë asnjë farë – për lëvizjet e jetës aty ku nuk ekziston asnjë gjallëri – në gjuhën e Zotit tonë, do të thotë të presësh të “mbledhësh rrush nga ferrat dhe fiq nga murrizat “. Detyra e parë dhe e rëndësishme e një njeriu të pa rilindur është të përkulet në poshtërim të thellë dhe pendim të vërtetë përpara Perëndisë; vështrimi kryelartë duhet të ulet, vullneti rebel duhet të përulet; dhe në qëndrimin e një personi të pushtuar nga një ndjenjë faji. Ai duhet të shikojë me besim te një Shpëtimtar i kryqëzuar dhe të marrë prej tij jetën, faljen dhe pranimin. E vërtetë, solemnisht e vërtetë është, se “pa shenjtëri askush nuk do ta shohë Zotin;” prapëseprapë të gjitha përpjekjet drejt arritjes së shenjtërisë, përpara “pendimit ndaj Perëndisë dhe besimit në Zotin Jezu Krisht”, thjesht do ta zhgënjejnë shpirtin që e kërkon.

Sapo të jetë bërë kjo vepër e ripërtëritjes, shenjtërimi është një punë e lehtë dhe e kënaqshme në krahasim me të. Motivet dhe nxitjet për një jetë të shenjtë tani gjejnë një përgjigje të gatshme në zemër, e cila tashmë është bërë tempulli i Frymës së Shenjtë. “Fara e pakorruptueshme” që është mbjellë atje mbin dhe bëhet bimë, lulëzon dhe pjek frytet e shenjtërisë, dhe “uji i gjallë” buron atje, dhe derdh rrjedhën e tij të jetës dhe pastërtisë, duke zbukuruar dhe ushqyer kopshtin e Zotit . Le të jemi, pra, të kujdesshëm të mos e prishim rregullin apo ta ndryshojmë rendin e Frymës së bekuar në punën e Tij. Si pasojë kanë dalë gabime të mëdha dhe shpirtrat kanë shkuar në përjetësi të frikësuar dhe fatalisht të mashtruar. Veçanërisht të kujdesshëm në këtë çështje duhet të jenë ata të cilët janë caktuar në ofiqin e udhëzimeve frymërore – nën kujdesin e të cilëve janë besuar shpirtrat e pavdekshëm – se mos në një çështje që përfshin interesa kaq të çmuara dhe kaq të qëndrueshëm, dikush të kalojë nga mësimi i tyre në përjetësi të paditur për metodën e vërtetë dhe të vërtetë të shpëtimit.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*