17 Mars – Octavius Winslow
17 Mars
“Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.” Luka 23:12.
Sa i goditur dhe solemn që është udhëzimi i përcjellë në këtë ndodhi! Pilati dhe Herodi, të cilët ishin zhytyr në një qëndrim urrejtjeje vdekjeprurëse ndaj njëri-tjetrit, tani janë bërë miq! Çfarë të jetë ajo fuqi e çuditshme dhe e madhërishme që krejt papritur e ka zbutur armiqësinë e tyre, dhe urrejtjen e tyre e ka kthyer në dashuri? Cili është ai zinxhir mistik që i ka tërhequr dhe i ka lidhur të dy bashkë këta sundimtarë armiqësorë? Armiqësia e tyre e përbashkët dhe e thellë kundër Jezusit! Besimtarë në Krishtin, a janë frymëzuar armiqtë e Shpenguesit tonë të lavdishëm nga një ndjesi e natyrshme dhe e përbashkët e urrejtjes, gjë e cila i bën t’i harrojnë grindjet mes tyre, dhe t’i lënë mënjanë dallimet e tyre në një konfederatë të përbashkët për të shkatërruar Birin e Perëndisë, objektin e armiqësisë së tyre të përbashkët; po miqtë e të Shpenguarit, të shtrënguar nga ai parim hyjnor dashurie që banon në zemrat e gjithë atyre që kanë lindur prej Perëndisë a nuk do t’i shuajnë vallë mëritë e zemrave të tyre, a nuk do t’i mbulojnë mospëlqimet e tyre dhe të afrohen edhe më tepër me njëri-tjetrin në një aleancë të shenjtë, të zellshme dhe të vendosur për ta lartësuar Birin e Perëndisë, Objektin e lavdishëm dhe të çmuar të dashurisë së tyre të përbashkët? Nëse Jezusi është nyja e bashkimit për ata që e urrejnë, sa shumë më tepër do të jetë Ai nyja e bashkimit për ata që e duan Atë! Oh si do të vajtohet, rrëfehet, urrehet dhe braktiset tek këmbët e kryqit të tij zhelozia dhe hidhërimi i mëkatshëm, zemërimi dhe tërbimi, zënkat dhe mungesa e dashurisë, nga fëmijët e njërës familjeje; sesi të gjithë ata që e duan Zotin Jezu Krisht me sinqeritet do të dallohen pa hezitim dhe me gëzim si të tillë, dhe kështu “duke u përpjekur që ta ruajnë unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.”
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!