24 Prill – Octavius Winslow
“Besim i çmuar.” 2 Pjetri 1:1
Besimi është me të vërtetë hiri kurorëzues i të gjitha hireve, si dhe një fryt shumë i çmuar dhe i kushtueshëm i mendjes së ripërtërirë. Prej tij buron çdo hir tjetër në një shpirt të hirshëm. Ai është quajtur gjithashtu “mbretëresha” e hireve, për shkak se pas tij vjen një sërë hiresh mbretërore. Besimi nuk vjen vetëm, as nuk banon vetëm, dhe as nuk vepron vetëm. Atje ku është besimi në Jezusin, atje është edhe dashuria, gëzimi, paqja, durimi, zemërgjerësia, pikëllimi i shenjtë, dhe çdo lloj përsosmërie tjetër e karakterit të krishterë, që të gjitha të harmonizuara ëmbël, të gjitha të bashkuara për të kremuar lavdinë e hirit të Perëndisë, dhe për ta kurorëzuar Jezusin Zot të të gjithave. Prandaj, a ju duket surprizë që ky të dallohet nga të gjitha të tjerat me termin “besim i çmuar”? Jo! Ky duhet të jetë i çmuar përderisa shpalos vlerën e çmuar të gjithçkaje tjetër. Besimi e bën arin e vërtetë më të çmuar, dhe gjithçka tjetër e kthen në ar. Hedh vështrimin drejt një “Krishti të çmuar.” Të udhëheq tek “gjaku i çmuar.” Mbështetet tek “premtimet e çmuara.” Dhe sprova e tij, edhe pse mund të jetë përmes zjarrit është “e çmuar.”
Besimi e ndryshon aq shumë natyrën e atij që ka dhimbje, që është poshtëruar dhe që është lënduar saqë e kthen vrenjtësinë, qortimin dhe korrigjimin e Atit në disa prej mëshirave më të kushtueshme të jetës. Hir i çmuar, i cili më bën thirrje të shoh drejt Perëndisë në Krishtin si i pajtuar; dhe që në mungesë të gjithë provave të dukshme, më fton të prehem mbi vërtetësinë e Perëndisë, gjë e cila në varfërinë time më të thellë më çon tek Jezusi, tek Jozefi im i vërtetë, i cili ka në duart dhe në dispozicionin e Tij të gjitha theraret e hirit dhe lavdisë! Këto janë disa prej karakteristikave të këtij hiri mbretëror. “Të drejtësuar pra me anë të besimit kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht.” Me anë të besimit jo vetëm që mund të them se Jezusi vdiq për mëkatarët, por gjithashtu që Ai vdiq për mua. Besimi e bën timen shlyerjen e madhe. Besimi përqafon për vete gjithë sa është në Krishtin. Besimi e vendos dorën e tij mbi besëlidhjen e hirit dhe deklaron, “Të gjitha gjërat janë të miat.” Oh, çfarë pamjeje është të shohësh dikë të përkulur deri në pluhur nga ndjesia e mëkatit, e megjithatë me anë të besimit shkon tek gjaku dhe drejtësia e Zotit Jezus për shpëtim, dhe përjeton fuqinë e këtij hiri që e mbështet shpirtin në ujërat e thella dhe e ngre lart në shtigjet e rrezikshme – kjo është një pamje të cilën Perëndia Vetë nuk ka se si të mos e shohë me një kënaqësi të patregueshme.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!