26 Prill – Octavius Winslow
“Sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.” Efesianëve 2:18
Çfarë është lutja? Është përbashkësia e jetës frymërore në shpirtin e njeriut me Autorin e saj Hyjnor; është hukatja e jetës hyjnore sërish në gjirin e Perëndisë prej nga erdhi; është miqësia e përulur, frymërore dhe e shenjtë me Perëndinë. Ja cila ishte fjala e bukur e një pagani që ishte konvertuar në besim – “E hap Biblën dhe Perëndia më flet mua; e mbyll Biblën dhe pastaj flas me Perëndinë.” Një përkufizim i goditur i lutjes së vërtetë! Është një bisedë me Perëndinë sikurse fëmija flet me atin e vet, sikurse miku flet me mikun e tij: “Dhe Zoti fliste me Moisiun.” Prandaj, le të mbajmë mend që lutja e vërtetë është aspirata e një shpirti të përtërirë drejt Perëndisë; është frymëmarrja e jetës hyjnore, nganjëherë mes belbëzimeve të pikëllimit, nganjëherë në shprehjen e nevojës, dhe gjithmonë si pranim i varësisë; është vështrimi lart i një fëmije të ripërtërirë, të pikëlluar, në nevojë dhe plot varësi tek Ati i tij i dashur, në vetëdijen e plotë të dobësisë totale, dhe në gjithë ëmbëlsinë e besimit birëror.
Kush është objekti i lutjes? Jahveu, Zoti i qiellit dhe i tokës; vetëm Atij, si Tre në një i drejtohet lutja. Vetëm Ai ka vesh për të dëgjuar rrëfimin tonë të pikëllimit; vetëm Ai ka një krah që mund të na mbështesë në kohë nevoje; vetëm Ai ka një zemër që mund të simpatizohet me nevojat tona të thella. I ngrituri dhe i lartësuari, ai që banon përjetësinë, emri i të cilit është i Shenjtë, Ai i cili është Krijuesi dhe Sunduesi i gjithë botëve, Ai që mban shtyllat e gjithësisë, Atij të cilit i nënshtrohen të gjitha pushtetet në qiell, në tokë dhe në ferr. Ai është objekti i lavdishëm të cilit i drejtohemi në lutje.
Ndërmjetësi i lutjes nuk është më pak i mahnitshëm – cili është ai? Nuk është një krijesë e varur si puna jonë; por është Zoti Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, i barabartë në pushtet, madhështi dhe sundim me Atin, e megjithatë është Vëllai ynë i Madh, Qengji që u therr, Ndërmjetësi dhe Garantuesi, Krye Prifti i populit të Tij. Lutja pranohet brenda velit, vetëm ndërsa paraqitet në emrin e Jezusit. Zëri që flet atje, në llogari të përgjëruesit të përunjur, është zëri i gjakut të Emanuelit; kjo është “udha e re dhe e gjallë,” – ky është përgjërimi që fiton, ky është argumenti që lëviz vetë Gjithëfuqinë. Ai që i përgjërohet gjakut të Jezusit në lutje mund të ketë dhjetë mijë gjuhë që mund të flasin kundër tij, por “gjaku i Jezusi flet për gjëra më të mira,” dhe i mbyt ato zëra. Oh, çfarë ndërmjetësi i çmuar dhe i shtrenjtë i lutjes!
I mrekullueshëm është edhe Autori i lutjes – kush është Ai? Apostulli na informon: “Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.” Pra, Fryma i Shenjtë është ai që lind dëshirën, ai e harton kërkesën, dhe e hukat atënë lutje përmes Krishtit tek Perëndia. Çfarë ushtrimi sublim që është lutja! Shfaqja e jetës hyjnore në shpirt është natyra e saj – Jahveu është objekti i saj – Zoti Jezus është ndërmjetësi i saj – dhe Fryma i Shenjtë është autori i saj. Kështu, Trinia e bekuar në unitet është i përfshirë në veprën e madhe të qasjes së mëkatarit tek Perëndia.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!