11 Shtator – Octavius Winslow

11 Shtator

“Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës.” Romakëve 8:1

Çfarë ngushëllim i fortë që rrjedh prej kësaj të vërtete për atë që beson në Jezusin! “Asnjë dënim” është baza e gjithë ngushëllimit për të krishterin që po vuan. Çfarë prite madhështore që është kjo gjendje para përmbytjes së pikëllimit, e cila ndryshe mund të vinte dhe ta përmbytte shpirtin! Qoftë synimi yt që ta përjetosh këtë ngushëllim në çdo vuajtje dhe sprovë. Perëndia mund të të lëndojë por nuk do të të dënojë kurrë. Disiplinat nuk janë gjykime; lëndimet nuk janë dënime.

Sëmundjet, vajtimin, dhe gjëndjen e ulët bazuar mbi gjendjen e mos-dënimit, mund t’i mirëpresësh dhe t’i mbash me durim, duke qenë se ato nuk janë treguesit e një stuhie që po vjen, por janë pikat e resë së mëshirës që po lëviz mespërmes qiellit të kaltër të një shpirti në Krishtin. Sprovat e zjarrta të cilat e pastrojnë besimin tonë nuk kanë as edhe një shkëndijë brenda tyre nga ai “zjarr i pashueshëm” i cili do t’i konsumojë të dënuarit më pas. Oh, çfarë janë kryqet dhe parehatitë e kësaj bote të tanishme, nëse në fund të fundit do të shpëtojmë nga ferri! Oh, çfarë janë pasuritë, nderet dhe rehatitë e kësaj jete, nëse në fund të fundit do të mbetemi jashtë qiellit!

Në fund të asaj kupe kënaqësish mëkatare e cila xixëllon në dorën e bijve të botës të cilën ata e pinë me aq zell dhe kënaqësi, atje në fund të saj gjendet dënimi i përjetshëm; në rrënjë të të mirave të tij gjendet krimbi i vdekjes. Por në fund të kupës së trishtimit, të cilën i krishteri që vuan e mban duke u dridhur në errësirë, edhe pse është e hidhur dhe ogurzezë, nuk ka dënim; në rrënjët e gjithë të ‘ligave’ të tij gjendet lavdia e përjetshme. Dhe tani a do të ngazëlloheni në këtë vullnet? Nuk është vetëm detyra jote e shenjtë, por është edhe privilegji yt i lartë që të ngazëllohesh.

E gjithë jeta jote jo vetëm që mund të jetë por duhet të jetë një psalm i ëmbël, një himn i vazhdueshëm falënderimi dhe lavdërimi, që lëshon tingujt e tij të lartë para Perëndisë së shpëtimit tënd; përderisa përtej skenës me re të shtegtimit tënd të tanishëm shpaloset drita dhe rrezatimi i lavdisë qiellore, dhe ndërsa kalon matanë mbi arkitraun e portës së tij lexon – Asnjë Dënim. Vetëm po qe se nuk e beson dhe e nënçmon gjëndjen tënde të gëzueshme dhe shpresën tënde të bekuar, në çastin më të zymtë do të këlthasësh nga thellësia e shpirtit tënd – “Është afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua.Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë?”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*