26 Nentor – Octavius Winslow

26 Nëntor

“Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,” 1 Pjetri 1:3

Për të qenë i vetëdijshëm ndaj kësaj fuqie të mahnitshme në shpirt do të thotë të kesh lindur sërish – të jesh ringjallur nga varri i prishjes – të jetosh mbi tokë një jetë qiellore dhe të ringjallur – të shohësh që zemra çdo ditë ngjitet bashkë me temjanin e ëmbël të dashurisë, lutjes dhe lavdërimit atje ku është Thesari i saj. Ajo zotëron gjithashtu edhe një fuqi shumë ngushëlluse. Çfarë i mbështeti dishepujt përveç kësaj në fazat e hershme të krishterimit, në mes të stuhive të përndjekjes të cilat ndryshe do t’i kishin fshirë nga faqja e dheut? Ata e dinin që Zotëria i tyre ishte i gjallë.

Nuk kishin nevojë për prova të jashtme për këtë fakt. Ata zotëronin në shpirtin e tyre dëshminë e Perëndisë. E vërteta vërtetonte veten e saj. Tri ditët e varrimit të Tij për ta ishin ditë trishtimi, braktisjeje dhe zymtësie. Dielli i tyre kishte perënduar në errësirë dhe në përgjakje dhe bashkë me të çdo rreze shprese ishte zhdukur. Gjithë sa donin dhe për të cilën dëshironin të jetonin kishte zbritur në varr. Tani ata nuk kishin asnjë krah që t’i froconte në dobësinë e tyre, nuk kishin një prehër dhembshurie bashkë me ta në pikëllim, nuk kishin dikë të cilit t’i tregonin çdo mendim të fshehtë dhe emocion të trazuar.

Por ringjallja e Zotit të tyre ishte ringjallja e gjithë gëzimeve të tyre të vdekura. Tani ata shkuan tek Ai si një Shpëtimtar i gjallë, të vetëdijshëm për fuqinë e re që kishte lindur brenda tyre, fuqia e ringjalljes së Zotit të tyre, “Atëherë kur dishepujt e panë Zotin u gëzuan.” A është kjo e vërtetë më pak gjallëruese dhe e çmuar për ne? A ka humbur ndonjë pjesë të gjallërisë së saj për të na kthyer në jetë, apo nga fuqia e saj për të na ngushëlluar? Oh, jo! Kjo e vërtetë është e përjetshme dhe e pandryshueshme. Shekujt nuk ia pakësojnë forcën, rrethanat nuk ia ndryshojnë karakterin. Të njëjtat të vërteta të cilat pikuan si vesa nga buzët e Moisiut, që e zgjuan harpën engjëllore të Davidit, që i dhanë krahë shpirtit të Isaias për të fluturuar drejt qiellit, që frymëzuan elokuencën burrërore të Palit, që mbushën vegimet sublime para syve të Gjonit, dhe që përgjatë gjithë epokave kanë ushqyer, gjallëruar dhe shenjtëruar popullin e Perëndisë, duke drejtuar këshillat e tyre, duke zbutur pikëllimet e tyre dhe duke u dhënë jetë shpresave të tyre, janë ende po aq jetësore dhe të pushtetshme në përjetimet e larmishme të shenjtorëve, duke e dendësuar gjithnjë e më tepër renë e atyre që dëshmojnë për hyjninë dhe pushtetin e këtyre të vërtetave.

E tillë është edhe doktrina e ringjalljes së Krishtit. Oh çfarë ngushëllimi që rrjedh për Kishën e Perëndisë nga e vërteta e një Shpëtimtari të gjallë – një Shpëtimtar i gjallë i cili i njeh dhe i shëron pikëllimet tona – që i frymëzon dhe i shenjtëron gëzimet tona – që tregon dhembshuri dhe e plotëson nevojën tonë! I gjallë për të trajtuar çdo re që mbulon mendjen, çdo kryq që e acaron shpirtin, çdo vajtim që e trishton zemrën, çdo ligësi që kërcënon sigurinë tonë dhe rrezikon lumturinë tonë! Çfarë fuqie që marrin nga kjo e vërtetë premtimet e ungjillit! Kur Jezusi flet përmes këtyre premtimeve ndiejmë se ka jetë dhe frymë në fjalën e Tij sepse kjo është fjala e folur e Shpëtimtarit të gjallë.

Kur Ai na fton të shkojmë tek Ai për prehje dhe na bën thirrje të shohim te kryqi i Tij për të gjetur paqe, kur na kërkon t’i lëmë barrët tona te këmbët e Tij dhe të përpijmë fjalët që dalin nga buzët e Tij ndiejmë një ndikim të gjallë që zbret mbi shpirt, që frymëzon dhe lehtëson si ai për të cilin ungjilltari i trembur ishte i vetëdijshëm kur Shpëtimtari i përlëvduar me butësi vendosi dorën e Tij të djathtë mbi të dhe i tha, “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.”A është Jezusi i gjallë? Atëherë le të vdesë çdo gjë tjetër, jeta jonë, me të gjitha mbështetjet, ngushëllimet dhe shpresat është e sigurt në Të. “Për shkak se unë jetoj, edhe ju do të jetoni.”

Ai është një burim i gjallë. Stinët ndryshojnë, rrethanat ndryshojnë, ndjenjat lëkunden, miqësitë ftohen, miqtë vdesin, por Krishti është përjetë i njëjti. Oh çfarë bekimi të jesh i lidhur me një Shpengimtar të ringjallur dhe të gjallë! Ne ia çojmë nevojat tona Atij – ato plotësohen në çast. Ne ia çojmë mëkatet tona Atij – ato falen në çast. Ne ia çojmë vajtimet tona Atij – ato qetësohen në çast.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*