Si ta di që jam i shpëtuar?

nga Pastor John Piper

Josh nga Duluth na shtron një pyetje shumë të zakonshme të cilën e marrim pothuaj çdo ditë në email: “Pastor John, si ta di nëse jam i shpëtuar?”

Josh, “beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh,” (Veprat 16:31). “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëm-lindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme,” (Gjoni 3:16). “Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.” (Romakëve 3:28). I gjithë libri i Gjonit sipas asaj që thotë Gjoni 20:31 është shkruar “që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” Prandaj, mesazhi i pagabueshëm përgjatë gjithë Dhiatës së Re është: Ne shpëtohemi duke besuar në Jezusin. Prandaj, ngulite vëmendjen tënde tek Krishti në ungjijtë e Gjonit, Mateut, Markut dhe Llukës – dhe në të gjithë Biblën. Fokusoje vëmendjen tënde në Krishtin dhe thuaj atë që shikon. “Ne rrëfejmë me gojë që Jezusi është Zot.” Dhe thuaj se çfarë ndjen për këtë. “E pranoj Atë. E dua Atë. Ai është Perëndia im. Ai është Zoti im. Ai është thesari im.” Rrëfeje këtë gjë. Dëgjoje veten duke e thënë këtë gjë. Ja thuaj këtë të tjerëve. Thuaja bashkëshortes. Thuaja fëmijëve të tu. Thuaja shokut tënd. “Jezusi është Zoti im.”

Bibla thotë që askush nuk mund të thotë “Jezusi është Zot” veçse përmes Frymës së Shenjtë. A nuk është kjo e mahnitshme? Askush nuk mund të thotë “Jezusi është Zot.” Prandaj, nëse ju e thoni dhe e keni me gjithë mend, Perëndia është duke punuar në jetën tënde. Ti ke Frymën e Shenjtë.

Prandaj, çfarë është besimi, të besuarit? Gjoni 1:11-12 thotë, “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.” Prandaj, pranimi dhe besimi janë terma që interpretojnë njëri-tjetrin dhe të pranosh do të thotë që kur Ai të ofron veten si Shpëtimtar, si Zot, si thesar, si këshilltar, ti e pranon Atë dhe nuk e mohon. Ti pranon gjithë sa Perëndia është për ty në Krishtin. Prandaj, të pranuarit ka të bëjë me mikpritjen dhe përqafimin. Jezusi tha, “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri. Kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje.” Prandaj, të besuarit do të thotë të vish tek Ai në mënyrë që të shuash etjen. Ose është pranimi i ujëvarës së hirit që derdhet nga e çara e kryqit si e vetmja që mund të ta kënaqë urinë tënde.

Perëndia i kësaj bote i ka verbuar mendjent e jobesimtarëve që të mos e shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit. Prandaj, ajo që shohim kur Ai na i hap sytë është që Krishti është i lavdishëm. Krishti është shëmbëlltyra e Perëndisë. Krishti është personi më madhështor që ka ekzistuar ndonjëherë, është Shpëtimtari i madh, Zoti i madh, mësuesi më i madh, këshilltari më i madh, miku më i madh. Këtë merr besimi nga Krishti duke i zënë besë Atij.

Ndoshta personi që e bëri këtë pyetje po mendonte për të gjitha pjesët që flasin për testet e besimit në jetën tonë. Për ato ndoshta mund të flasim me hollësi një herë tjetër, por tani thjesht do them që 1 Gjoni është shkruar për të na dhënë shumë teste të tilla, por të gjitha ato fokusohen tek kjo gjë: A po reflekton jeta jote faktin që Krishti të cilin e keni pranuar si Shpëtimtar është vërtet i çmuar për ty? Nuk është fryti që ju drejtëson. Pema e besimit është pema e mirë. Fryti është prova që pema është e mirë. Dhe kur flasim për të mirën këtu, nuk e kemi fjalën për përsosmërinë. Mendoj që shumë njerëz ka të ngjarë që përleshen me pyetjen a jam i shpëtuar, për shkak se kanë pritje jorealiste për rritjen e krishterë dhe për faktin sesi punon mëkati. Prandaj, ndoshta do ta mbyll këtu, duke thënë që tek 1 Gjoni 1:7 thuhet, “por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.” Prandaj, të ecurit në dritë është thelbësor. Gjaku i Jezusit na pastro nga çdo mëkat, nëse ne ecim në dritë. A do të thotë kjo që të ecurit në dritë është përsosmëri? Nuk mund të ketë këtë kuptim sepse atëherë nuk do të kishte ndonjë mëkat që duhej pastruar. Prandaj, të ecurit në dritë duhet të jetë diçka tjetër.

Prandaj, vazhdojmë dhe lexojmë, “Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten.” Me fjalë të tjera, nuk jemi duke ecur në dritë. Në dritë ju nuk mashtroheni. Në dritë shikoni. Çfarë shikoni? Shikoni mëkatin që sapo keni kryer. Çfarë bëni me të? Vargu 9, “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”

Prandaj, të ecurit në dritë mund t’u tingëllojë njerëzve si, oh, mos, nuk mund të eci në dritë. Nuk mund të pushoj dot së mëkatuari. Jo, nuk është ky kuptimi i të ecurit në dritë. Të ecurit në dritë do të thotë që ungjilli është aq i qartë për ju, shenjtëria e Perëndisë është aq e qartë për ju, ligësia e mëkatit është aq e qartë për ju, saqë kur pengoheni në mëkat reagimi juaj është: “E urrej këtë gjë. Më vjen keq o At. Të lutem më fal.” Ju e rrëfeni. Ju merrni falje dhe vazhdoni të ecni përpara me Zotin thesari i të cilit është më i madh për shkak të hirit që ai ju ka ofruar.

Prandaj do thosha, Josh, në fund të fundit, siguria e shpëtimit është dhuratë nga Fryma e Shenjtë, “Po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Aba, o Atë!’ Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.” (Romakëve 8:15). Kur ju thërrisni “Abba, Atë, Jezus, Zot,” Fryma e Shenjtë është duke dëshmuar me frymën tuaj që ju jeni bij të Perëndisë. Prandaj, lutjuni atij për këtë dhuratë. Kërkojini dhuratën e dëshmisë së tij personale që ju jeni i Tiji.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*