12 Qershor – Octavius Winslow

“Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.” Gjoni‬ ‭16:24‬

Një nxitje tepër e fuqishme për t’u lutur gjendet në një pamje të qartë dhe nga afër të gjakut të shlyerjes. Çfarë inkurajimi që i paraqet gjaku shlyes kësaj jete të bekuar dhe të shenjtë bashkësie me Perëndinë – pajtuesi i spërkatur – Kryeprifti para fronit – reja e temjanit që vazhdimisht ngjitet lart – Ati plotësisht i kënaqur! Çfarë gjëje tjetër mund ta tërheqë më lirshëm shpirtin që digjet për një bashkësi të ngushtë dhe të shenjtë me Perëndinë? Kur gjaku i shlyerjes aplikohet mbi ndërgjegje, kur falja dhe pranimi vulosen në zemër prej Frymës së Përjetshëm, oh, çfarë nxitjeje që ka besimtari në Krishtin për t’iu afruar fronit të hirit!

Atëherë nuk ka vetëdije të fajit që ta frenojë besimtarin; nuk ka tmerr nga Perëndia; nuk ka frikëra drithëruese. Perëndia shikohet përmes kryqit si Perëndi i pajtuar, dhe në një marrëdhënie të dashur, me buzëqeshjen tërheqëse të një Ati. Me një altar të tillë, me një Kryeprift të tillë, me një gjak të tillë shlyes, dhe me një Perëndi të tillë të pajtuar, çfarë elementi duhet të jetë lutja për besimtarin në Krishtin! Sido që të jetë shpirti, i shqetësuar, i rënduar, i sprovuar apo i tunduar, le t’i afrohet fronit të mëshirës: Perëndia kënaqet të dëgjojë, Ai kënaqet të përgjigjet. Merr në duar gjakun shlyes, përgjërohu bazuar te merita e pafundme e Krishtit, kujtoji Atit atë që Biri i Tij ka arritur, kujtoji premtimet e Tij të hirshme për t’i pranuar dhe për t’iu përgjigjur me favor kërkesës së mbështetur në emrin e Birit dhe të paraqitur përmes Tij – edhe fëmija më i dobët i Perëndisë, edhe ai më i pikëlluari, edhe më i rënduari, mund t’i afrohet dhe ta hapë zemrën para një Perëndie që i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. Përgjërohu fort në bazë të gjakut shlyes, kapu fort pas meritës së pafundme dhe të çmuar të Krishtit, dhe kështu do të marrësh bekimin për të cilin je lutur.

A nuk mund të jetë kjo arsyeja pse kaq pak nga kërkesat tona marrin përgjigje, pse marrim kaq pak bekim – përgjërimi i dobët i gjakut shlyes? Ka një njohje shumë të dobët të udhës së bekuar të hyrjes në shenjtërore, ka shumë pak përleshje me gjakun e çmuar, ka fare pak shikim me besim drejt kryqit, emrit të dashur të Emanuelit i përgjërohemi rrallë, madje edhe kur i përgjërohemi e bëjmë në një mënyrë tepër të ftohtë – a ju duket e habitshme pastaj që lutjet tona kthehen pa përgjigje, kërkat të paplotësuara, dhe bujaria e thesarit të Tij të plotë nuk nderohet? Atit i pëlqen t’i kujtojmë Birin e Tij të dashur; vetë shqiptimi i emrit të Tij është melodi për veshët e Atit; të tundurit e temjanicës së meritave të pafundme të Krishtit është aroma më e këndshme për Perëndinë. Atij i pëlqen që t’i përgjërohemi me këtë kërkesë; ky është përgjërimi që ngadhënjen në çdo kohë; është përgjërimi të cilin Ai nuk mund ta mohojë; ky përgjërim e përlëvdon Perëndinë, e nderon Birin e Tij, dhe në të njëjtën kohë e mbush me bekime atë që përgjërohet kështu! Kush mund ta vlerësojë plotësisht?

Besimtari i varfër nuk ka asnjë përgjërim nga vetja: ai heton, por nuk mund të gjejë dot asgjë mbi të cilën ta bazojë kërkesën e tij; gjithçka brenda është e neveritshme; gjithçka jashtë është e njollosur prej mëkatit; pabesia, mosmirënjohja, braktisja përbëjnë historinë e tij. Por në Krishtin ai sheh atë në bazë të së cilës mund të përgjërohet, sheh përgjërimin të cilin Perëndia do ta dëgjojë dhe do t’i përgjigjet.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*