25 Nentor – Octavius Winslow
25 Nëntor
“A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” 1 Korintasve 6:19-20
Si tempull i Frymës së Shenjtë dorëzoja veten tënde fuqisë së Tij hyjnore dhe të hirshme. Ktheje veshin tënd ndaj pëshpëritjes së Tij të butë – ktheje vullnetin tënd ndaj shtysës së Tij të butë – ktheje zemrën tënde ndaj ndikimit të Tij të shenjtë dhe dashamirës. Duke mos ia vënë veshin zërit të Tij dhe duke mos iu dorëzuar shtysave të Tij kemi humbur shumë. Ai na ka nxitur shpesh drejt përbashkësisë me Perëndinë dhe për shkak se nuk ishte koha e duhur apo vendi i përshtatshëm e shuajte zërin e Tij bindës, i rezistove ndihmës që Ai të ofroi dhe kështu i fyer dhe i trishtuar Ai u tërhoq. Dhe ja, kur u ngrite për t’u lutur Perëndia e mbuloi Veten si me një mbulesë të cilën lutjet e tua nuk mund ta depërtonin dot. Përpiqu të kesh një vesh të sintonizuar edhe me zërin e Tij më të butë dhe një zemër të kapur fort pas një bindjeje të menjëhershme ndaj udhezimeve të Tij më të qeta. Bekimi më i madh që zotërojmë është zotërimi i Frymës.
Oh, të jesh i Krishtit – të jesh dhurata e Tij, të jesh blerja e Tij, shenjtori i Tij i thirrur, dishepulli i Tij i përulur – çfarë privilegji i paçmueshëm që është ky! Por si mund të jemi mjaft të sigurt se ky është privilegji ynë? Nëse e kemi Frymën e Krishtit, jemi me të vërtetë të krishterë. Fryma është vula e Mbretit, shenja e Bariut, imazhi i Vetë Zotit mbi zemër. Sa shenjtërues që është ky privilegj! “Ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me lakmitë dhe dëshirat e tij.” “Le të largohet nga paudhësia kushdo që thërret emrin e Zotit.” Nëse tani jemi të Krishtit do të jemi të Tij për gjithë përjetësinë. Ky është një bashkim që nuk mund të zhbëhet.
Çdo besimtar në Jezusi është “vulosur me Frymën e Shenjtë të premtimit i cili është kapari i trashëgimisë tonë.” Përderisa kemi kaparin e trashëgimisë, me po atë siguri do të zotërojmë vetë trashëgiminë. Fryma e Krishtit është një Frymë aktive dhe bamirëse. Fryma e çoi Shpëtimtarin kur ishte në mish nga një vend në tjetrin, nga një qytet në tjetrin, nga një shtëpi tek tjetra, ndërsa Ai u predikonte ungjillin e Tij njerëzve të humbur. “Ai shkoi gjithandej duke bërë mirë.” Nëse e kemi Frymën e Krishtit do të nxitemi drejt një dashurie të ngjashme të krishterë dhe drejt një aktiviteti për hir të atyre që nuk e kanë ungjillin, apo që e zotërojnë atë, por e përbuzin dhe e mohojnë mëshirën.
Fryma e Krishtit është në thelb një Frymë misionar. Ai e nisi veprën e Tij të dashurisë në Jerusalem dhe duke filluar nga aty si qendër u përhap me një dhembshuri më të madhe dhe në një sferë më të gjerë deri sa e përqafoi botën si fushën e punës së Tij. Ah, fakti që manifestojmë kaq pak nga Fryma duhet të na shtyjë drejt hetimit të thellë të zemrës dhe të na nxitë të lutje të zellshme: “Zot, më bëj më të zellshëm për shpëtimin e shpirtrave, për përparimin e mbretërisë Tënde. Ma jep këtë provë që jam i Yti – zotërim i Frymës Tënde, duke më shtrënguar drejt një dorëzimi më të thjeshtë dhe pa rezerva të talentave, pasurisë, rangut, ndikimit, kohës dhe vetes time ndaj themelimit të së vërtetës Tënde, ndaj përparimit të kauzës Tënde dhe kështu ndaj përhapjes edhe më të madhe të lavdisë Tënde mbi tokë.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!