10 Maj – Octavius Winslow

“Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë.” Kolosianëve‬ ‭3:2‬

Sa solemne dhe plot kuptim që janë këto fjalë! Të kërkosh gjërat qiellore do të thotë të kuptosh dëshirën e zjarrtë të apostullit, që ai të mund “të njihte Krishtin dhe fuqinë e ringjalljes së Tij.” Oh, ekziston një fuqi e pushtetshme dhe lartësuese në ringjalljen e Krishtit! Kjo është leva e madhe e një fëmije të Perëndisë, e cila e ngre atë sipër tokës, drejt qiellit. Të diturit që ai është një dhe i lidhur në mënyrë të pandashme me Kreun e ringjallur të Kishës, do të thotë të jesh subjekt i një ndikimi të vazhdueshëm gjallërues, i cili në frymë e ngre atë nga pluhuri, errësira dhe ndotjet prej të cilave rrethohet, dhe e fikson dashurinë me një zell më të madh përkushtimi dhe me një lidhje supreme tek gjërat sipër. Nuk ka asgjë tjetër që i lartëson dhe i shenjtëron zemrat tona më shumë kjo, domethënë që t’i sjellim ato nën “fuqinë e ringjalljes së Krishtit.”

Duke e ndjekur Atë me besim, nga pluhuri i tokës në lavdinë e qiellit, ndjenjat do të ngjiten lart me të Dashurin e tyre. Atje ku është Ai – thesari më i çmuar i zemrës – atje do të jetë edhe zemra e tij. Oh, sikur ta kishim zemrën me Krishtin në qiell, çfarë mëshire e patregueshme! Pse të mos jetë kështu? A ka toka ndonjë gjë më tërheqëse dhe më të dashur, më të shenjtë dhe më të denjë për dashurinë e tij sesa qielli? Këtu jemi të rrethuar nga beteja me frymërat e errësirës dhe ndyrësisë, me principatat dhe pushtetet; atje ka “një asamble të panumërt engjëjsh.” Këtu jemi shumë të ndarë nga Kisha e Perëndisë; atje, është “asambleja e përgjithshme dhe Kisha e të parëlindurve,” nga të cilët nuk do të na ndajë asgjë. Këtu, prania Hyjnore shpesh tërhiqet, tallemi dhe akuzohemi prej armiqve tanë; atje, është “Perëndia, Gjykatësi i të gjithë njerëzve,” prania e të Cilit do jetë lavdia jonë e përjetshme, dhe i Cili do të bëjë që “të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.”

Këtu, shpesh e varim kokën në pikëllim, nga papërsosmëritë që dallojmë tek shenjtorët; atje, janë “shpirtrat e të drejtëve që u bënë të përsosur,” “të pafajshëm përpara fronit.” Këtu na humbet nga vështrimi Zoti ynë i dashur; atje; është “Jezusi, Ndërmjetësi i besëlidhjes së re,” i cili nuk do të humbasë kurrë nga sytë tanë. Oh, sa më i pasur dhe tërheqës është qielli se toka, për një mendje të ripërtërirë dhe të shenjtë! Çdo moment bëhet edhe më i pasur dhe më tërheqës përmes rritjes së lumturisë të të shenjtëve dhe të dashurve nga toka, të cilët na kanë pararendur në atë botë shkëlqimi të përsosur! Sa shpejt që po grumbullohet thesari ynë në lavdi! Vdekja, e cila na varfëron këtu, duke na rrëmbyer nga përqafimi objektet e dashurisë tonë, me të njëjtin veprim i shton pasuritë tona në qiell, dhe në kohën e caktuar na çon në zotërimin dhe shijimin e plotë të tyre. Por, le të mos harrojmë që tërheqja më e ëmbël dhe më e fuqishme e qiellit është që Jezusi është atje. Çfarë do ishte qielli nëse do të mungonte Ai? A mund të lëshohemi në këtë moment në përqafimin e ngrohtë të më të dashurit për besimtarët e përlëvduar, dhe të mos takojmë atë që “dallon ndër dhjetë mijë, Ai që është tërheqës në çdo pikëpamje,” i cili në tokë ishte më i dashur për zemrat tona se vetë jeta. Oh sa shpejt do të zbehet kjo lavdi nga sytë tanë dhe muzika e saj do të tretet në veshët tanë! Nuk do të ishte më qiell pa Krishtin. Edhe mbi tokë prania dhe buzëqeshja e Tij përbëjnë agimet e para të asaj bote më të mirë. Ai i cili jeton duke e shijuar më tepër këtë gjë – sa shumë më tepër mund të shijohet në qiell gjë të cilën as mund ta konceptojmë – përjeton më tepër nga thelbi i qiellit në shpirtin e tij. Prandaj, kultivojini dëshirat qiellore përmes një jete bashkësie të thellë me Perëndinë.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*