29 Nentor – Octavius Winslow
29 Nëntor
“Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut, sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti.” Galatasve 1:11-12
E vërteta e madhe dalluese që shprehet kaq gjerësisht dhe theksohet me forcë është natyra hyjnore e ungjillit – një e vërtetë kjo mbi të cilën Kisha e Perëndisë ka nevojë të themelohet me një besim të palëkundur dhe praktik. Ungjilli është vepra madhore e Jahveut, në të cilin paraqitet shfaqja më e madhe e urtësisë së Tij të shumëfishtë si dhe tregimi më i kushtueshëm i pasurive të hirit të Tij. Në ndërtimin e kësaj të vërtete duket se Zotit i erdhën në ndihmë të gjitha burimet e pafundësisë së Tij; mendja e Tij e pahulumtueshme, dashuria e Tij e pakufishme, hiri i Tij i pakufi, fuqia e Tij e pafundme, shenjtëria e Tij e panjollë – të gjitha këto kontribuan me lavdinë e tyre dhe ranë në ujdi që ta paraqisnin ata para gjithësisë si veprën më të lartë aftësisë Hyjnore. Kjo vepër mbart me vete provën e saj.
Zbulesa që bën, faktet që regjistron, doktrinat që shpall, efektet që prodhon, tregojnë se ungjilli nuk është “rrëfenjë e thurur me dinakëri,” shpikje apo krijim i njeriut, por ashtu sikurse është në të vërtetë, “zbulesa e Jezu Krishtit,” “ungjilli i lavdishëm i të lumit Perëndi.” Kush do ta kishte ideuar dëshirën për t’i shpëtuar mëkatarët përveçse një zemër me dashuri të pafundme? Çfarë tjetër përveçse një mendje e pafundme do ta kishte krijuar planin për t’i shpëtuar ata në një mënyrë të tillë – përmes mishërimit, bindjes, vdekjes së Birit të Tij të dashur? Shpëtimi nga fillimi në fund është vepër e Zotit. Këtu jemi duke qëndruar në një terren të lartë. Këmbët tona janë mbështetur mbi një shkëmb të përjetshëm.
Ndiejmë se po shtrëngojmë në zemrën tonë atë që është e vërtetë – që kemi mbështetur fatin e shpirtit tonë mbi atë që është hyjnore – që themeli mbi të cilin ndërtojmë është Hyjnia; dhe se shpresa që besimi i së vërtetës ka frymëzuar nuk do të na turpërojë kurrë. med
Çfarë themeli i qëndrueshëm që është ky për shpirtin tonë! Ne jetojmë të rrethura nga hijet, dhe ne vetë jemi hije që po kalojmë tej. Por në ungjillin e çmuar kemi thelbin, kemi realitetin, kemi atë që mbetet me ne kur gjithë gjërat e tjera zhduken dhe e lënë shpirtin të shkretuar, zemrën të përgjakur dhe frymën të përkulur në pikëllim dhe pluhur. Ungjilli na jep shokë në shtegun tonë të vetmuar sepse na tregon “renë e dëshmitarëve.” Ungjilli na drejton në ndërdyshjet tona sepse është një “dritë për këmbën tonë.” Na e zbut vajtimin tonë, na e shenjtëron pikëllimin, na i shëron plagët, na i fshin lotët, sepse na udhëheq te dashuria, butësia, dhembshuria dhe hiri i Jezusit.
Ungjilli zbulon Jezusin, flet më së shumti për Jezusin, na udhëheq thjesht te Jezusi dhe kjo e bën të jetë ai çfarë është “lajme të një gëzimi të madh,” për një mëkatar të mjerë, të humbur, të rrënuar, të sprovuar dhe të tunduar.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!