5 Mars – Octavius Winslow
“Fryma është jeta për shkak të drejtësisë”. Romakëve 8:10.
Çfarë duhet të kuptojmë me termin frymë? Përgjigja jonë do të përjashtojë menjëherë idenë e Frymës së Shenjtë. Apostulli nuk mund të jetë duke folur për personin e tretë të Trinisë së bekuar. Prandaj, interpretimi i vetëm që mbetur është ai që e kufizon kuptimin e kësaj fjale në pjesën frymërore dhe të pavdekshme të besimtarit – frymën e rigjeneruar të njeriut dhe jo Frymën rigjenerues të Perëndisë. Prandaj, deklarata inkurajuese e apostullit është që pjesa frymërore dhe e pavdekshme e natyrës tonë është shpëtuar nga mallkimi, është përtërirë dhe është gjallëruar me një jetë hyjnore dhe qiellore. Nëse trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, fryma është jetë për shkak të drejtësisë. Fryma është jetë – një instinkt me një parim të ri dhe të pavdekshëm – sepse Krishti është drejtësia e popullit të Tij. Fryma jonë jeton mbi bazën e gjerë të metodës së Perëndisë për shfajësim. Në çdo këndvështrim Krishti identifikohet me jetën tonë frymërore. Ne jetojmë një jetë shfajësimi nga Krishti – një jetë shenjtërimi prej Krishti – një jetë besimi në Krishtin dhe një jetë pavdekësie me Krishtin. Kështu, në të gjitha fazat e saj, “Krishti është jeta jonë”. Oh çfarë e vërtetë e lavdishme! Mirë se vjen o vdekje – fryma jeton! Mirë se vjen o varr – fryma jeton përtej tij! Vdekje! mund të prekësh velin material – por jeta e brendshme qëndron lart e paprekshme prej teje, e fshehur me Krishtin në Perëndinë. Varr! thjesht mund ta burgosësh trupin – por shpirti është në shtëpi me Jezusin. Unë jetoj, jo për shkak të ndonjë drejtësie që kam arritur, por sepse Krishti është drejtësia ime. Unë jetoj për shkak të të Drejtit – Unë jetoj në të Drejtin – dhe do të jetoj përgjithmonë me të Drejtin. Kështu është fryma jetë për shkak të drejtësisë. Oh, çfarë pavdekësie e lavdishme që zbulohet para syve të besimit! Nëse frymës së besimtarit i duhet të kalojë përmes portave të zymta të vdekjes, në kalimin e tij drejt përjetësisë, jeta e ndjek, jeta e pret dhe jeta e kurorëzon. I gjallëruar me një ekzistencë të pavdekshme, i veshur me mantelin e një pavdekësie të rilindur, lëshohet i magjepsur dhe, duke i buzëqeshur vdekjes, e shpejton fluturimin drejt lavdisë, nderit dhe jetës së pafund. Le ta presim me padurim këtë jetë. Nga një jetë e përjetuar tani, le të jetojmë për një jetë të cilën do ta gëzojmë së shpejti. Trupi duhet të vdesë. E pastaj? fryma është jetë. Dhe fryma e frymëzuar nga jeta do të kthehet sërish, do të hyjë sërish dhe do ta gjallërojë përsëri pluhurin që fle; dhe në atë moment, i rimodeluar dhe i bërë frymëror, do të jetë me Krishtin dhe me të gjithë shenjtorët në qiellin e ri dhe tokën e re, në të cilët do të banojë drejtësia.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!