6 Tetor – Octavius Winslow

6 Tetor

“Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: ‘Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty’. Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.” 1 Mbretërve 19:7-8

Këtu shohim ilustrimin e një prej parimeve më të mëdha në jetën hyjnore – një prej parimeve të besimit më të mrekullueshme, më të çmuara dhe me më tepër ndikim: “I drejtoi do të rrojë me anë të besimit.” Në këtë mënyrë Zoti e përgatit popullin e tij për atë që Ai ka përgatitur për ta në të ardhmen e historisë së tyre. Ajo histori është e fshehur në mënyrë të mençur dhe të hirshme për sytë e tyre. Shtegu i të ardhmes për ta është i panjohur, ai është i mbuluar nga një vel padepërtueshëm për sytë e tyre. Në gjithë këtë gjë shohim dashurinë e Atit tonë qiellor.

Për aq sa dimë ne mund të ketë një stinë të gjatë maturie para nesh; ka shumë faza shumë të lodhshme të cilat ende nuk i kemi kaluar, ka shumë shtigje të reja të cilat nuk kemi shkelur ende, shumë beteja të cilat nuk i kemi luftuar ende dhe shumë tundime dhe sprova me të cilat nuk jemi përballur ende. Por besimi, të jetuarit mbi ushqimin që kemi marrë, në forcën dhe fuqinë mbështetëse të një pamjeje të Perëndisë të cilën na e ka paraqitur Fryma, në një hir të veçantë të cilin na e ka dhënë Krishti, në një arritje më të lartë në të vërtetë, në përjetim dhe shenjtëri, në një mësim të thellë që e kemi mësuar, në një mëshirë që kemi përjetuar, në një pamje të ndritur të lavdisë që kemi kapur, besimtari mund të udhëtojë për një kohë shumë të gjatë dhe të lodhshme drejt “prehjes që mbetet për popullin e Perëndisë.”

Sa shpesh i ka paraprirë Zoti ndodhitë e ardhshme të jetës tonë përmes mënyrës si na ka trajtuar në të tashmen! Për cilën rrethanë rreziku, sprove dhe skamjeje nuk ka siguruar Jezusi! Ai e dinte shumë mirë, sepse Ai kishte caktuar çdo hap dhe çdo ndodhi të udhëtimit tënd – ujërat e thella dhe të errëta përmes të cilave do të kaloje, shkretëtirat që do të shkelje, malet që do të ngjitje dhe luginat në të cilat do të zbrisje. Kupa e trishtimit nuk ishte përzjerë, as shigjeta e zjarrtë nuk ishte përgatitur, as kryqi i rëndë nuk ishte dërguar, para se të gjitha nevojat që do të krijonte dhe të gjitha furnizimet që do të kërkonte të ishin menduar dhe të ishin siguruar prej Atij i cili e dinte fundin që nga fillimi.

Kur zëri i dashurisë të zgjoi me butësi si nga dremitja e brengës, ti u mrekullove me tryezën që ishte shtruar para teje, u habite me furnizimin që ishte dërguar; nuk mund ta gjeje dot arsyen pse një dashuri kaq e madhe e pushtoi zemrën tënde, pse një hir kaq i madh u derdh në shpirtin tënd, pse një qëndrueshmëri kaq e madhe e mbështolli shpirtin tënd dhe pse kaq shumë gëzim dhe shpresë të rrezatoi me dritën qiellore dhe e hodhën shkëlqimin e tyre mbi shtegun tënd – duke mos e kuptuar që kjo ishte mënyra e Zotit për të siguruar ushqyerje për udhëtimin.

Kur periudha apo ndodhia e pritur arriti në jetën tënde atëherë në kujtesë të erdhën veprimet përgatitëse të Perëndisë dhe në çast e dallove se si për “dyzet ditë dhe dyzet netë” udhëtimi të vetmuar, Perëndia dhe Shpëtimtari yt ishte treguar i hirshëm dhe kishte siguruar në mënyrë bujare. Por i gjithë ky mister shpjegohet përmes jetës së besimit, përmes së cilës jetojnë ata që janë drejtësuar.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*