8 Shtator – Octavius Winslow

8 Shtator

“Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.” 1 e Korintasve‬ ‭2:14‬

Prezantimi i thjeshtë i të vërtetës mendjes së pa ripërtërirë, në formën e kërcënimit, të premtimit, apo të motivimit, nuk mund të prodhojë dot kurrë ndonjë efekt shpëtues apo shenjtërues. Shpirti i njeriut në gjendjen e tij të pa ripërtërirë paraqitet si i vdekur frymëror; i pandjeshëm ndaj të gjitha lëvizjeve të shenjta frymërore. Çfarë përshtypje do të prodhohet mbi një mendje të tillë thjesht duke e paraqitur të vërtetën para syve të saj? Çfarë jetë, çfarë emocioni, çfarë efekti do të arrihet? Do ishte e njëjta gjë sikur të vendosnim një tablo të pikturuar para syve të një të vdekuri, dhe të prisnim që nga bukuria e pikturës, nga shkëlqimi i ngjyrave, nga gjenialiteti i piktorit, ta gjallëronim trupin me jetë, ta mbushnim gjirin me emocione, dhe ta bëni syrin të sodiste me ëndje, sikur të prisnim që efekte të ngjashme morale të rezultonin nga paraqitja e të vërtetës hyjnore para një mendjeje mishore, “të vdekur në shkelje dhe mëkate.”

E megjithatë, ka nga ata që besojnë se kjo doktrinë, kjo e vërtetë hyjnore, e pa shoqëruar nga ndonjë fuqi e jashtme, mund t’i shkaktojë të gjitha këto mrekulli! Kundër një teorie të tillë ne thjesht vendosim një pjesë nga fjala e shenjtë: “Nëse dikush nuk ka lindur prej së larti nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Fjala e shenjë, edhe pse është e frymëzuar, është thjesht shkronjë e vdekur, e zhveshur nga fuqia jetë dhënëse e Frymës së Shenjtë.

Edhe pse të vërtetat që shpalos janë të mahnitshme, edhe pse zbulesat që na paraqet janë tepër solemne, dhe pavarësisht se motivet që na siguron janë tepër bindës, megjithatë, kur është e vetme në veprimtarinë e saj pa ndihmë nga një tjetër, e vërteta hyjnore është krejtësisht e pafuqishme për të prodhuar jetë frymërore, dashuri dhe shenjtëri në shpirtin e njeriut. Prandaj është e domosdoshme që efekti i saj të jetë pasiv duke qenë se nuk zotëron asnjë fuqi reale të vetes, dhe varet te një ndikim hyjnor jashtë vetes për ta bërë mësimin e saj të efektshëm. Ata tre mijë njerëz që u kthyen në besim në ditën e Rrëshajave nuk ka dyshim që u zgjuan nga dëgjimi i një predikimi dhe disa do thoshin se ishe fuqia e së vërtetës ajo që i shkaktoi këto efekte të mrekullueshme të hirit. Me këtë biem dakord por shtojmë një gjë, që kjo ishte një e vërtetë në dorën e pushtetshme të Perëndisë ajo që i tejshpoi në zemër, dhe i bëri të lëshonin klithmën, “Burra, vëllezër, çfarë të bëjmë?”

Fryma i përjetshëm ishte shkaku i efektshëm, dhe fjala e predikuar ishte thjesht instrumenti i përdorur për të prodhuar efektin; por nëse nuk do ishte fuqia e tij shoqëruese dhe e efektshme, sikurse turmat e sotme, edhe ata do t’i kishin kthyer shpinën predikimit të Pjetrit, edhe pse ai ishte plot me Krishtin e kryqëzuar, do ta përbuznin të vërtetën dhe do ta hidhnin poshtë Shpëtimtarin për të cilin fliste ajo. Por i pëlqeu Perëndisë që në sovranitetin e vullnetit të Tij t’i thërriste me hirin e Tij, dhe këtë e bëri përmes fuqisë së efektshme dhe të gjithëpushtetshme të Frymës së Shenjtë, përmes mjetit të predikimit të ungjillit.

Prandaj ne kërkojmë një përjetim personal dhe pranim të së vërtetës, para se ajo të prodhojë ndonjë gjë si shenjtëria në shpirt. Fakti që ka arritur në gjykimin tonë nuk mjafton, nëse nuk shkon më thellë se kaq, nëse nuk e mbërthen vullnetin, nëse nuk e prek zemrën, nëse nuk e ripërtërin gjithë shpirtin, nuk mund ta ngrejë dot kurrë perandorinë e shenjtërisë brenda njeriut; mbretërimi i shenjtërimit nuk mund të fillojë. Syri i mendjes mund të jetë i pastër, por syri moral mund të jetë i mbyllur; mendja mund të jetë plotësisht dritë, por zemra mund të jetë krejt errësirë; kredoja mund të jetë e vërtetë, dhe e gjithë jeta në përputhje me të. I tillë është efekti i papajtueshëm i të vërtetës hyjnore nëse arrin thjesht të kuptuarit, dhe nuk shoqërohet nga fuqia e Frymës së Shenjtë në zemër. Por, le ta marrë njeriu të vërtetën në zemrën e tij përmes fuqisë së Vetë Perëndisë; le të hyjë aty, duke e çarmatosur dhe duke e hequr nga froni njeriun e fortë; le të hyjë Jezusi, dhe Fryma e Shenjtë të marrë zotërim, duke ripërtërirë, vulosur, dhe duke e shenjtëruar shpirtin; dhe atëherë mund të presim të shohim “frytet e shenjtërisë për jetën e përjetshme.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*